Lajme

Let’s Do It Kosova kanë ndarë grantin prej 1.2 milion euro për komunat fituese t

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot së bashku me organizatën “Let’s Do It Kosova”, kanë ndarë grantin prej 1.2 milion euro për komunat fituese të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, aksion ky i cili kishte zgjatur tre muaj

Përfitues të këtij granti kanë qenë dhjetë komuna të Kosovë ku me nga 150 mijë euro janë shpërblyer komunat: Ferizaj, Gjakovë, Suharekë dhe Viti ndërsa me nga 100 mijë euro janë shpërblyer Drenasi, Gjilani, Prishtina, Obiliqi, Suhareka dhe Vitia

Në konferencën përmbyllëse të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, u ndanë kontejnerë dhe shporta për komunat: Junik, Han Elezit, Podujevë, Istog, Skenderaj, Malishevë, Pejë, Rahovec, Lipjan, Shtime, Deçan, Prizren e Mitrovicë.

Gjatë kësaj ceremonie, ministri Matoshi tha se fushata “Ta pastrojmë Kosovën” ka qenë ndër fushatat më të suksesshme për pastrimin e mjedisit.

“Gjatë kësaj fushate të pastrimit janë larguar mbi 900 deponi ilegale të mbeturinave, që nënkupton një mjedis më të pastër, më pak ndotje e rrezik për sëmundje të ndryshme. Janë aktivizuar mijëra qytetarë për të pastruar hapësirat ku jetojnë e veprojnë”, deklaroi Matoshi.

Ndërsa kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi mobilizim institucional për një Kosovë të pastër.

“Duhet të jemi të mobilizuar për një Kosovë të pastër, për një Kosovë Eko dhe mund ta bëjmë. E kanë bërë edhe vende të tjera”, tha Haradinaj.

Ndërsa Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” tha se angazhimi i të gjithëve në aksionin tre mujor për pastrimin e mjedisit ka kontribuar që Kosova të bëhet vend më i mirë për të jetuar.

Gjatë kësaj konference përmbyllëse u nda mirënjohje edhe për vullnetarët e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” dhe përfaqësuesit e kompanive publike dhe private për kontributin e dhënë  gjatë këtyre muajve.

Artikuj të ndërlidhur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Close
Close

Bllokuesi i reklamave është aktiv!

Ju lutem konsideroni të na ndihmoni duke çaktivizuar bllokuesin e reklamave