Sport
Chelsea në finale të “Carabao Cup”, mposht Tottenhamin,Reali fiton ndaj Girona-s

Chelsea u kualifikua mes drithërimash në finalen e Carabao Cup, ku do të përballet me Manchester City-n.
Blutë e Londrës eliminuan në derbi Tottenhamin vetëm pas goditjeve të 11-metërshave, pasi sfida përfundoi 2-1 për blutë e Londrës, ndërsa në përballjen e parë Spurs-at kishin fituar 1-0 (nuk merret parasysh goli në fushën kundërshtare).
Ngolo Kante dhe Eden Hazard kaluan në epërsi të dyfishtë skuadrën e Sarrit në “Stemford Bridge”, por në pjesën e dytë shkurtoi në 2-1 diferencën spanjolli Llorente.
Deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndryshim rezultatin, ndaj finalisti i Carabao Cup duhej vendosur nga goditjet e penalltisë. Në dy seritë e para realizuan Eriksen dhe Lamela për Tottenhamin dhe Willian e Azpilicueta për Chelsea-n.
Në serinë e tretë gaboi Dier por shënoi Jorginho, ndërsa në serinë pasardhëse dështoi Lucas e realizoi David Luiz, pa qenë nevoja që të goditeshin penalltitë e pesta.
Real Madrid ka fituar 4-2 ndaj Girona-s në ndeshjen e parë të çerekfinales së Copa del Rey.
Los Blancos kanë zhvilluar një tjetër paraqitje me ulje-ngritje, por fatmirësisht kanë pasur një Sergio Ramos në super formë që me dy golat e tij ka ndihmuar ekipin duke i dhënë një avantazh të kënaqshëm për ndeshjen e kthimit.
Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh përpara se Lucas dhe Ramos me një “Panenka” të kalonte Real në avantazh.
Pasi Girona barazoi me një penallti në pjesën e dytë, ishte përsëri Ramos ai që i dha avantazhin merenguesve përpara se Benzema të siguronte fitoren me golin e tij në fund të takimit.