Sport
Manchester United po përpiqet që ta bëjë David De Gea-n lojtarin më të paguar në historinë e Premier League.

Ata janë përpjekur që “ta lidhin” portierin e “La Roja” edhe për një vit e gjysmë (sipas klauzolës në kontratë), por ende nuk kanë rinovuar dot me të. Tashmë, sipas “The Times”, ata po përdorin strategjinë e “karrotës”, duke e joshur portierin financiarisht.
Oferta e bërë për të është më e madhja ndonjëherë në futbollin anglez. Shifra prej 90 milionë eurosh është më e madhe se ajo që merr Mesut Ozil, Paul Pogba dhe Alexis Sanchez. Nëse pranon marrëveshjen e propozuar nga “Djajtë e Kuq”, De Gea do të përfitonte më shumë se 23 milionë stërlina në vit. E thënë ndryshe, do të fuste në xhep rreth 365 mijë stërlina në javë.
Manchester United e di se, tarifa e transferimit dhe e pagës së një portieri tjetër të denjë për “Old Trafford” do të ishte më e madhe, ndaj po këmbëngul fort për spanjollin. “The Times” thotë se ekziston një ndjenjë te Manchester United se vetëm kërkesa joreale e agjentëve të tij do ta pengonte De Gea-n që ta zgjasë eksperiencën 8-vjeçare në këtë klub.
Trajneri Ole Gunnar Solskjaer këmbënguli që portieri i tij tashmë e ka merituar statusin e njërit prej më të mëdhenjve te Manchester United: “Ai është portieri më i mirë në botë. Ne kemi pasur disa portierë të mëdhenj, por De Gea po sfidon Edwin dhe Peter për vendin nr.1 historikisht”.